Policia e Kosovës paralajmëron qytetarët: Mos klikoni në SMS mashtruese që kërkojnë pagesë gjobe
P

Policia e Kosovës paralajmëron qytetarët: Mos klikoni në SMS mashtruese që kërkojnë pagesë gjobe

Policia e Kosovës ka shpërndarë sot një paralajmërim të Njësisë Nacionale për Siguri Kibernetike, KOS-CERT, për një valë të re mashtrimesh përmes mesazheve telefonike (SMS), që po qarkullojnë në vend.

Sipas njoftimit, qytetarët kanë raportuar pranimin e mesazheve me përmbajtje të rreme, ku pretendohet se automjeti i tyre është kapur nga kamerat e sigurisë për shkelje në trafik, dhe se duhet të paguajnë një gjobë përmes një linku të dërguar në mesazh, shkruan AutoPortali.

KOS-CERT sqaron se këto SMS janë mashtruese, vijnë nga numra të huaj (jashtë Kosovës) dhe përmbajnë URL të shkurtuara që çojnë në faqe të rrezikshme. Ato synojnë të marrin të dhënat personale apo bankare të qytetarëve.

“Ju lusim që të mos klikoni në URL që vijnë përmes mesazheve të tilla. Në asnjë rast nuk dërgohet SMS nga institucionet ku kërkohet pagesa e gjobave në trafik”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Qytetarët që pranojnë mesazhe të tilla, ftohen t’i raportojnë menjëherë në adresën e emailit reports@kos-cert.org, në mënyrë që të ndërmerren masa për bllokim dhe hetim të burimit të tyre.

KOS-CERT u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve që rrezikojnë të dhënat dhe sigurinë e tyre financiare. /AutoPortali

TË FUNDIT