Rritja e qarkullimit të qytetarëve nëpër pikat kufitare të Kosovës po shoqërohet me kolona dhe vonesa, veçanërisht në dalje nga vendi, përcjell AutoPortali.
Sipas të dhënave të përditësuara nga autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e kufirit, pika më e ngarkuar mbetet Dheu i Bardhë, me pritje deri në 60 minuta në dalje dhe kolona të gjata deri në 500 metra.
Edhe pika kufitare në Muçibabë raporton kolona në hyrje deri në 200 metra, me pritje deri në 20 minuta. Jarinje gjithashtu paraqet fluks më të lartë se zakonisht, me kolona deri në 300 metra në dalje dhe vonesa që arrijnë në 30-40 minuta.
Në të gjitha pikat e tjera kufitare, qarkullimi për automjete dhe kamionë është relativisht i qetë, me kohë pritjeje që variojnë nga 3 deri në 5 minuta dhe pa kolona të raportuara.
Ky fluks i shtuar lidhet me kthimet dhe lëvizjet sezonale të mërgimtarëve, si dhe pushimet verore. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të planifikojnë udhëtimet e tyre dhe të kontrollojnë gjendjen e pikave kufitare përpara nisjes./AutoPortali/





