Policia e Kosovës ka reaguar në një rast në Prizren, ku persona të paautorizuar kanë bllokuar një nga rrugët e qytetit.
“Me datën 06.08.2025, rreth orës 16:40, Policia e Kosovës ka pranuar ankesë nga qytetarët për bllokim të rrugës “Alush Kryeziu” në të dy shiritat e qarkullimit, nga organizatorët e një gazmendi familjar”, njofton PK, shkruan AutoPortali.
Njësiti patrullues i Stacionit Policor të Prizrenit ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku ka identifikuar personin përgjegjës, i cili ka prezantuar një leje komunale për përdorim të njërës korsi nga ora 09:30 deri 10:30. Megjithatë, rruga ishte bllokuar në tërësi dhe jashtë afatit të lejuar.
Policia ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 300 euro sipas legjislacionit në fuqi dhe ka liruar rrugën për qarkullim normal të automjeteve.



