Një zjarr i përmasave të konsiderueshme përfshiu një sipërfaqe toke me pemë frutore në fshatin Kryeluzaj të Kavajës, mbrëmjen e kaluar, duke shkaktuar dëme të mëdha në pronën bujqësore. Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë së Shtetit dhe veprimeve të menjëhershme hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, shtetasi G. B., 47 vjeç, banues në Kavajë, u vu në pranga pasi rezultoi se kishte ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të gjerë me pemë frutore dhe duke rrezikuar edhe zona të tjera përreth.
Ngjarja alarmoi banorët e zonës dhe mobilizoi menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, të cilat mbërritën në vendin e ngjarjes sapo morën njoftimin. Ndërhyrja e shpejtë bëri të mundur izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Materialet në ngarkim të 47-vjeçarit i janë kaluar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila do të vijojë hetimet për këtë rast.
Policia e Shtetit ka përsëritur edhe një herë apelin për të gjithë qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura për djegien e mbeturinave apo mbetjeve bujqësore, si dhe të tregojnë kujdes me elementë të tjerë të rrezikshëm, si cigarja e ndezur, në afërsi të zonave të pyllëzuara. Neglizhenca e tillë mund të sjellë pasoja të rënda për mjedisin, jetën dhe pronën e qytetarëve.



