Kulla Veneciane tërheq 6,500 vizitorë, turistët zgjedhin historinë
K

Kulla Veneciane tërheq 6,500 vizitorë, turistët zgjedhin historinë

Një nga pikat më të vizituara gjatë këtij sezoni në qytetin e Durrësit është Kulla Veneciane, monument i shekullit XV. Pas restaurimit përmes programit EU4Culture, ajo është kthyer në një qendër interpretimi me teknologji 3D.

Nga janari deri në qershor, kulla ka pritur rreth 6,500 vizitorë, shkruan Euronews, transmeton AutoPortali.

I themeluar rreth vitit 627 para erës sonë, Durrësi, dikur i njohur si Epidamni, është një nga qytetet më të vjetra të Mesdheut. Trashëgimia e pasur historike nga antikiteti, Mesjeta deri te periudhat më moderne është kthyer në një pasuri për turizmin kulturor të qëndrueshëm.

“Ne kemi pasur një numër të lartë vizitorësh të cilët kanë ardhur, kanë vizituar, dominojnë vizitorë të huaj, ata të cilët vijnë dhe e shikojnë kullën. Janë po të njëjtat shifra, vjet kemi pasur më shumë sepse ishte hapja e Kullës Veneciane, dhe kishte një bum vizitorësh edhe vendas. Kemi turistët që shfaqin më shumë interes nga Anglia, Amerika, Franca dhe vizitorë të Europës Perëndimore”, thotë Ina Ajazi, specialiste e qendrës muzeore.

Përveç historisë, Durrësi ofron edhe plazhe ranore e shkëmbore, si dhe kulinari të pasur. Por mbi të gjitha, një udhëtim që nis në lashtësi dhe mbetet gjatë në kujtesën e çdo vizitori. /AutoPortali

TË FUNDIT