Një veturë e tipit VW Passat me vlerë rreth 4 mijë euro është vjedhur në orët e para të 9 gushtit në fshatin Gllamnik të Podujevës, ndërsa policia ka arritur të arrestojë autorin e dyshuar dhe ta rikthejë automjetin te pronari.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 03:00 nga Aziz Kalludra rreth 53-vjeçar, i cili ka deklaruar se derisa ishte në tualet, një person ia kishte marrë çelësat e veturës, e cila nuk ndodhej më në parkingun ku e kishte lënë, përcjell AutoPortali.
Pas hetimeve, policia ka identifikuar të dyshuarin Shukri Dumnica rreth 45-vjeçar, i cili është arrestuar në shtëpinë e tij në Vushtrri. Gjatë intervistimit, ai ka pranuar se e kishte marrë automjetin dhe më pas e kishte lënë në parkingun e një lokali në Fushë Kosovë. Automjeti është sekuestruar dhe i është kthyer pronarit, ndërsa pronari i lokalit është marrë në pyetje si dëshmitar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar si “Vjedhje”. Pas verifikimit të të dyshuarit, ka rezultuar se ai posedon urdhër-arrest nga Stacioni Policor i Vushtrrisë të cilët do ta trajtojnë në përputhje me detyrimet ligjore.



