Chevrolet ka prezantuar modelin koncept Corvette CX në eventin “The Quail” në Kaliforni një supermakinë elektrike që sinjalizon të ardhmen e dizajnit të kësaj ikone amerikane. Emri “CX” nënkupton gjeneratën e dhjetë të Corvette-s (C10), dhe megjithëse nuk pritet të hyjë në prodhim serik, kompania konfirmon se do të shërbejë si inspirim për dizajnet e ardhshme, transmeton AutoPortali.
Corvette CX është ndërtuar me katër motorë elektrikë një për çdo rrotë dhe ofron një fuqi mbresëlënëse prej 2000 kuaj-fuqi, e furnizuar nga një bateri 90 kWh. Ndër elementët më futuristikë është sistemi i hapjes së kabinës në stil avionik dhe ekrani “head-up” i shtrirë në të gjithë xhamin e përparmë.

Një version edhe më ekstrem është CX.R Vision Gran Turismo, i krijuar për lojën Gran Turismo 7. Ky model kombinon tre motorë elektrikë me një motor benzinë V8 2.0L me dy turbo, për një total prej 2000 kuaj-fuqi, të shpërndarë në të katër rrotat.

Të dy konceptet mbeten ekskluzivisht për ekspozita dhe botën virtuale, por sinjalizojnë qartë drejtimin që Chevrolet mund të ndjekë në të ardhmen.




