Pilotët e Kampionatit Botëror të Rally-t (WRC) kanë mirëpritur marrëveshjen e re të FIA-s, e cilësuar si “më e madhja në historinë e rally-t”. Kompania franceze Cosmobilis dhe investitori Park Square Capital kanë blerë të drejtat komerciale të WRC-së dhe ERC-së në një marrëveshje afatgjatë, ndërsa ish-drejtuesi i Formula 1, Eric Boullier, do të jetë CEO i ri i WRC Promoter.
Sipas FIA-s, investimi do të ndihmojë në zhvillimin e kampionatit, ndërsa vizioni i ri pritet të prezantohet gjatë Rally Paraguay. Marrëveshja konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt epokës së re të WRC-së, me rregullore të reja teknike dhe ndryshime të tjera që priten nga sezoni 2027.
Thierry Neuville tha se shpreson për një bashkëpunim të ngushtë mes promotorëve, ekipeve dhe pilotëve për ta rikthyer kampionatin në nivelin që meriton. Edhe nëntë herë kampioni i botës, Sebastien Ogier, e cilësoi marrëveshjen si një lajm shumë pozitiv, duke theksuar se WRC ka potencial të madh dhe se idetë e reja mund ta rikthejnë në majën e motorsportit. Optimist u shpreh edhe Jon Armstrong, i cili beson se ndryshimet do ta bëjnë kampionatin më tërheqës për një audiencë më të gjerë.



