Edhe pse kanë kaluar pothuajse 40 vjet, shitja e Alfa Romeos te Fiat në vitin 1986 mbetet një nga ngjarjet më të debatueshme në historinë e automobilizmit. Ky vendim e shpëtoi markën nga kolapsi financiar, por njëkohësisht ndryshoi identitetin teknik që e kishte bërë të veçantë për adhuruesit e saj.
Në mesin e viteve ’80, Alfa Romeo ishte në pronësi të shtetit italian dhe përballej me borxhe të mëdha. Fillimisht, kompania amerikane Ford ishte shumë pranë blerjes së saj dhe planifikonte investime të mëdha, por presioni politik dhe ndërhyrja e Fiatit bënë që qeveria italiane ta shiste markën te prodhuesi nga Torino për 1.050 miliardë lira.
Me kalimin nën Fiat, Alfa Romeo fitoi stabilitet ekonomik, por humbi gradualisht disa nga karakteristikat që e dallonin, si platforma mekanike e zhvilluar në Milano, sistemi Transaxle dhe motorët legjendarë Twin-Cam. Modele si Alfa 155 ndanin bazën teknike me automjete të Fiatit, gjë që u kritikua nga shumë adhurues.
)
Megjithatë, bashkëpunimi solli edhe modele të suksesshme si Alfa 164, 156 dhe 147, ndërsa rikthimi te rrënjët erdhi vetëm në vitin 2016 me prezantimin e Giulia, sedanit me lëvizje në rrotat e pasme. Sot, Alfa Romeo është pjesë e grupit Stellantis, por për shumë entuziastë, viti 1986 mbetet momenti kur marka humbi një pjesë të shpirtit të saj.



