Ish-kampioni i botës në MotoGP, Casey Stoner, beson se Francesco Bagnaia u trajtua padrejtësisht nga Ducati, duke theksuar se ankesat e italianit për motorin nuk u morën seriozisht përpara se ekipi të vendoste ta zëvendësonte.
Gjatë sezonit 2025, Bagnaia kishte deklaruar vazhdimisht se Ducati Desmosedici kishte ndryshuar ndjeshëm krahasuar me versionin e mëparshëm. Edhe pse fitoi dy gara dhe regjistroi disa podiume, ai pati vështirësi të mëdha me ritmin, ndërsa shoku i skuadrës, Marc Marquez, fitoi titullin botëror me të njëjtin motor.
“Më vjen shumë keq për Pecco. Shumë njerëz humbën besimin tek ai dhe thoshin se vetëm ankohej, sepse motori ishte i njëjtë. Por unë e shihja nga jashtë se nuk ishte i njëjti motor. Sjellja e tij në pistë ishte ndryshe dhe Bagnaia po përballej me probleme reale”, tha Stoner për MotoGP.com.
Për sezonin 2027, Ducati ka vendosur të afrojë Pedro Acostan, ndërsa Bagnaia do t’i bashkohet Aprilias, ku do të garojë përkrah Marco Bezzecchi.

Stoner beson se ky ndryshim mund ta ndihmojë italianin të rifitojë besimin dhe formën që e çoi te dy titujt botërorë radhazi me Ducati në vitet 2022 dhe 2023.
“Duke pasur parasysh se Pecco i solli Ducatit titullin e parë pas vitit 2007 dhe më pas fitoi edhe një tjetër, mendoj se nuk u trajtua siç e meritonte. Shpresoj që te Aprilia të gjejë motivim të ri dhe të rikthehet në nivelin që e bëri kampion”, përfundoi Stoner.



