Truku që po shpëton jetë: Pse në Indi e lyen rrugën me të kuqe? (VIDEO)
T

Truku që po shpëton jetë: Pse në Indi e lyen rrugën me të kuqe? (VIDEO)

Shoferët që kalojnë përmes rezervatit të tigrave në shtetin indian Madhja Pradesh përballen me një pamje të pazakontë, një segment rruge i lyer me ngjyrë të kuqe të ndezur. Ky asfalt nuk është dekor apo instalacion artistik, por pjesë e një projekti inovativ të autoriteteve, që synon të ulë shpejtësinë e automjeteve dhe të mbrojë kafshët e egra në zonat e rrezikshme.

Segmenti pilot është ndërtuar në një pjesë malore të autostradës NH-45, mes qyteteve Bhopal dhe Jabalpur. Në një gjatësi prej rreth dy kilometrash, mbi asfalt është vendosur një shtresë e veçantë termoplastike me trashësi pesë milimetra dhe me ngjyrë të kuqe të fortë. Sipas ekspertëve, truri i njeriut e dallon ngjyrën e kuqe më shpejt se çdo ngjyrë tjetër, ndaj shoferët e perceptojnë menjëherë si sinjal rreziku dhe instinktivisht ulin shpejtësinë.

Përveç efektit vizual, sipërfaqja paksa e ngritur krijon dridhje të lehta dhe një zhurmë karakteristike nën rrotat e makinës, duke i paralajmëruar drejtuesit të ngadalësojnë pa qenë nevoja për frenim të fortë ose për vendosjen e pengesave tradicionale në rrugë.

Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë që mbulon rreth 12 kilometra rrugë që kalojnë përmes rezervatit Virangana Durgavati, habitat i tigrave bengalezë, leopardëve, ujqërve, panterave dhe shumë specieve të tjera të mbrojtura.

Nevoja për masa të tilla është e madhe. Vetëm gjatë vitit 2024, në rrugët që kalojnë nëpër zonat pyjore të Indisë u vranë 582 kafshë si pasojë e aksidenteve rrugore. Autoritetet indiane theksojnë se kalimet e projektuara posaçërisht për kafshët mund të parandalojnë deri në 1.400 aksidente gjatë jetëgjatësisë së tyre.

Rezultatet e para janë shumë inkurajuese. Në gjashtë muajt e parë të përdorimit të asfaltit të kuq në këtë segment nuk është regjistruar asnjë aksident me pasoja fatale. Ndërkohë, në autostradën New Delhi–Dehradun, një korridor prej afro 11 kilometrash i ndërtuar për kalimin e kafshëve ka regjistruar mbi 40.000 kalime të sigurta të elefantëve, drerëve, leopardëve dhe çakejve në vetëm 40 ditë.

TË FUNDIT