Jack Miller ka bërë të ditur se vendimi për të ardhmen e tij do të merret brenda javëve të ardhshme, ndërsa gjithçka tregon se aventura e tij 12-vjeçare në MotoGP po shkon drejt fundit.
Piloti australian i Pramac tha se bisedimet me Yamaha po ecin mirë dhe la të kuptohet se mund të kalojë në Kampionatin Botëror të Superbike (WorldSBK), ku përflitet se do të zëvendësojë Xavi Vierge në ekipin zyrtar të Yamaha-s.
“Po flasim me Yamaha-n dhe me palë të tjera për të ardhmen. Shpresoj të kemi lajme së shpejti,” tha 31-vjeçari.
Miller theksoi se i ka pëlqyer bashkëpunimi me Yamaha-n dhe beson se përvoja e tij me gomat Michelin mund të jetë një avantazh në WorldSBK, ku prodhuesi francez do të bëhet furnizuesi zyrtar nga viti 2027.
Ai pranoi gjithashtu se e kupton se koha e tij në MotoGP po mbaron, sidomos pas dy sezoneve të vështira me Yamaha-n, e cila ka qenë ndër motorët më pak konkurrues në kampionat.
“Mendoj se po pilotoj më mirë se kurrë, por pa një motor konkurrues është e vështirë të tregosh potencialin e plotë. Tani pres me interes sfidën e radhës,” përfundoi Miller.



