A ju duket kohët e fundit se vendet e parkimit janë bërë çuditërisht më të ngushta dhe se hapja e derës mes dy makinave është kthyer në një mision të pamundur? Nuk jeni të vetmit. Problemi nuk qëndron te ndonjë vendim i gabuar i autoriteteve, por te fakti se makinat moderne janë bërë gjithnjë e më të mëdha dhe më të gjata.
Një studim i fundit i organizatës evropiane T&E tregon se vendet e parkimit nuk janë zvogëluar, por automjetet janë rritur vit pas viti dhe po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në qytete.
Makinat janë rritur ndjeshëm
Një vend standard parkimi në shumicën e vendeve evropiane është rreth 2.5 metra i gjerë dhe 5 metra i gjatë. Por rritja e popullaritetit të SUV-ve dhe crossover-ëve, të cilët përbëjnë rreth 56% të shitjeve të makinave të reja në Evropë, ka ndryshuar situatën.
Në vitin 2000, një makinë mesatare ishte rreth 409 cm e gjatë dhe 169 cm e gjerë. Sot këto shifra kanë arritur në 438 cm gjatësi dhe 182 cm gjerësi. Sipas parashikimeve, deri në vitin 2040 makinat mesatare mund të arrijnë 456 cm gjatësi dhe 190 cm gjerësi.
Ky fenomen është pagëzuar si “carspreading”, pra zgjerimi gradual i automjeteve. Për shkak të makinave më të mëdha, qytetet po detyrohen të krijojnë vende parkimi më të gjera.
)
Qytetet mund të humbin mijëra vende parkimi
Problemi është se zgjerimi i vendeve të parkimit do të thotë më pak vende në total. Sipas T&E, deri në vitin 2040 qytetet evropiane mund të humbin 8.5 deri në 14% të vendeve të parkimit në rrugë.
Londra dhe Berlini mund të humbin deri në 118 mijë vende, ndërsa Roma rreth 95 mijë dhe Madridi rreth 45 mijë.
Ndërkohë, makinat e mëdha paraqesin edhe rrezik më të madh për këmbësorët. Lartësia mesatare e pjesës së përparme të automjeteve është rritur nga 77 në 84 centimetra, ndërsa deri në vitin 2040 mund të arrijë 92 centimetra.
Për këtë arsye, disa qytete evropiane kanë nisur të vendosin tarifa më të larta parkimi për SUV-të dhe automjetet e rënda.
Po shqyrtohen edhe masa të tjera, si taksat në bazë të peshës së automjetit, tarifa shtesë për regjistrimin e makinave të mëdha dhe të rënda, madje edhe mundësia e ndalimit të regjistrimit të makinave të reja më të gjera se 192 centimetra.
Nëse trendi i rritjes së automjeteve vazhdon, qytetet evropiane mund të përballen me një zgjedhje të thjeshtë: ose do të vozisim makina më të vogla, ose do ta kemi gjithnjë e më të vështirë të gjejmë vend për parkim.



