Antoneli rrezikon ta mbyllë para kohe garën për titull
A

Antoneli rrezikon ta mbyllë para kohe garën për titull

Me një avantazh prej 50 pikësh ndaj Lewis Hamiltonit dhe plot 59 pikësh ndaj George Russell, logjika e vendos Andrea Kimi Antonellin si kandidatin kryesor për titullin kampion bote.

Të habitesh artificialisht, siç ka ndodhur edhe në kohët e fundit, madje edhe para kamerave, me moshën e re të Kimit, tashmë nuk ka shumë kuptim. Piloti është një prej të mëdhenjve të Botërorit, edhe falë cilësive të një Mercedesi, prej të cilit ai merr gjithsesi shumë më tepër sesa shoku i tij i skuadrës, shpesh “i padukshëm”.

 

Nga Çmimi i Madh i Holandës, që shënon rikthimin e Botërorit pas pushimit veror, Antonelli përballet me mundësinë e tij të madhe. Dhe këtë do ta bëjë në nisje të fazës së dytë të kampionatit, në një pistë, atë holandeze, që një vit më parë kishte lënë të gjithë disi të habitur, pas përplasjes me Ferrarin e Charesl Leclercut gjatë rikthimit në pistë pas ndalesës në bokse. Kriza e rezultateve e verës së vitit 2026 këtë sezon nuk është më e pranishme dhe pritja për një spektakël të Antonellit në Çmimin e Madh të Italisë, në Monza, bëhet çdo ditë e më e madhe. Nëse Botërori ka kaluar vetëm pikën e mesit të sezonit dhe duke marrë të mirëqenë formën e jashtëzakonshme të Kimit, mbetet vetëm të kërkohen pengesat e mundshme në rrugën e tij. Kjo do të thotë të vlerësohen mundësitë që rivalët e tij të drejtpërdrejtë të mund t’i nxjerrin shkopinj nën rrota. Dhe rivalët e drejtpërdrejtë janë vetëm dy, ose ndoshta… dy e gjysmë.

Kimi i ka tronditur prej kohësh themelet e sigurisë së shokut të tij të skuadrës, të cilit do t’i duhej një kthesë e fortë psikologjike për të përballuar në mënyrë efektive dhe të vazhdueshme shokun gjithnjë e më dominues të skuadrës. Kimi e ka destabilizuar plotësisht Russellin dhe, të paktën në një të ardhme të afërt, është e vështirë të shihet se si George mund ta rindërtojë kandidaturën e tij për titull. Nga ana tjetër, Lewis Hamiltoni ka bërë një kthesë të madhe pas një sezoni të parë me Ferrarin që ishte vërtet i komplikuar. “Problemi” i Sir Lewisit dhe, para tij, i Ferrarit është se në tri garat e fundit përpara pushimit, Charles Leclerck doli nga “tuneli i dhimbjes” i fundit të pranverës dhe fillimit të verës me një seri rezultatesh që, mes Silverstonit, Spa-Frankorshampsit dhe Hungaroringut, e panë të grumbullonte 59 pikë, kundrejt “vetëm” 44 pikëve, çuditërisht, të shokut të tij të skuadrës.

Kjo ka bërë që Leclercu të rikthejë ambiciet e tij për titullin, edhe pse është 81 pikë pas Antonellit, pikërisht në momentin kur në Maranelo duhet të mendojnë seriozisht për nevojën që të fokusohen qartësisht te një kandidat i vetëm në ndjekje të liderit. Pak a shumë siç po ndodh në MotoGP, por me rolet e përmbysura, ku mund të bëhet së shpejti e nevojshme që Aprilia të mbështesë një prej dy pilotëve, Jorge Martinin ose Marco Bezzecchin, për t’u mbrojtur nga kërcënimi i Mark Markezit. Në fund, edhe pse me fitoren e fundit të korrikut në Budapest është afruar vetëm në 10 pikë nga Leclerc, Lando Norrisi për momentin nuk mund të synojë mbrojtjen e titullit botëror: distanca e tij nga kreu është pranë shifrës treshe…

Shumëçka do të varet nga hapësirat e mëtejshme për përmirësim të McLarenit. Sipas këndvështrimit tonë dhe jo vetëm tonit, mund të vini bast për këtë, Antonelli ka të paktën 75 për qind shanse që në fund të sezonit, në Abu Dhabi apo në Imola, të fitojë një titull historik botëror dhe ta sigurojë matematikisht atë shumë përpara garës së fundit. Dhe pikërisht këtu lind dilema: a mund ta përballojë Formula 1 e sotme, me gjithë shkëlqimin, tribunat e mbushura dhe spektaklin me çdo kusht, një betejë për titullin që vendoset shumë përpara përfundimit natyral të sezonit, duke i hequr kështu interesin garave të fundit?

TË FUNDIT