Aksidenti me 5 viktima: Edhe në rigjykimin e dytë, shoferi dënohet me 7 vjet burgim
A

Aksidenti me 5 viktima: Edhe në rigjykimin e dytë, shoferi dënohet me 7 vjet burgim

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda ka dënuar edhe në rigjykimin e dytë me shtatë 7 vjet burg të pandehurin Erton Musliu, i cili shkaktoi një aksident trafiku më 6 qershor 2021 në fshatin Koshare të Ferizajt, ku mbetën të vdekur pesë persona, përfshirë një të mitur.

Sipas aktgjykimit, Musliu u shpall fajtor për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”. Dënimi me burgim do të llogarit edhe kohën e kaluar në paraburgim dhe do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së vendimit, raporton Klankosova.tv, përcjell AutoPortali.

Gjithashtu, gjykata ka shqiptuar edhe një dënim plotësues, ku të pandehurit i merret leja e vozitjes dhe i ndalohet pajisja me leje të re për kategoritë B1, B, M, L dhe T për një periudhë katërvjeçare, e cila nuk përfshin kohën e qëndrimit në burg.

Sipas aktakuzës, Erton Musliu, duke drejtuar veturën “Audi A8”, në rrugën magjistrale Ferizaj – Shtime, përballë firmës “L.S.”, nga pakujdesia e vetëdijshme theu rregullat e qarkullimit duke kaluar në kahjen e kundërt dhe u përplas me një veturë “Golf II”. Si pasojë e aksidentit në vendin e ngjarjes ndërruan jetë N.R., Xh.R., S.R. dhe një i mitur, ndërsa viktima e pestë, I.R., ndërroi jetë në QKUK. Nga përplasja mbetën të lënduar edhe dy pasagjerë në veturën “Audi A8”.

TË FUNDIT