Dogana e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në qytetin e Pejës. Aksioni është duke u zhvilluar në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.
“Në kuadër të planit operativ, Dogana, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), janë duke kryer kontrolle në dhjetë lokacione në qytetin e Pejës. Këto kontrolle kanë për qëllim të identifikojnë parregullsitë tatimore, kontrabandën, dhe shmangien e detyrimeve doganore”, tha Stavileci.
Ai shtoi se aksioni është pjesë e përpjekjeve për të forcuar respektimin e ligjit dhe për të parandaluar humbjet e të ardhurave për shtetin.
“Pasi të përfundojnë inspektimet, rezultatet e këtij operacioni do të bëhen të ditura për publikun në kohën e duhur, duke përfshirë detaje mbi masat e marra kundër shkelësve të ligjit”, tha Stavileci.



