Prokurorisë Themelore në Prizren i janë dashur tre muaj për të ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.Q i cili sipas aktakuzës me datën 15 gusht 2024 në orën 06:15 në rrugën Suharekë-Prizren, duke e drejtuar veturën e tij pa patentë shofer dhe nën ndikimin e alkoolit, ka dalë në shiritin tjetër të rrugës duke e goditur veturën e tipit Audi 89’ të cilën ka qenë duke e drejtuar A.Q e i cili ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë lëndime të rënda trupore ka pësuar edhe B.G i cili ka qenë bashkë në veturë me person e dyshuar. Për këtë Prokuroria Themelore në Prizren e ngarkon të njëjtin me veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”, nga neni 371 i KPRK-së”, raporton Gazeta Express.
Gjithashtu i dyshuari derisa po qëndronte në emergjencën e Suharekës pas aksidentit, provon të fsheh në tualet një sasi të narkotikëve, që Prokuroria e Prizrenit konfirmon se ka rezultuar e llojit mariuhanë, pas testimeve të kryera. Prokuroria thotë se me këto veprime B.Q. ka kryer veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 sipas KPRK-së.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Po ashtu prokurori i çështjes, ka propozuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, përfundon njoftimi i Prokurorisë.
Sipas Kodit Penal të Republkës së Kosovës nëse dikush duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur shkakton 1 apo më shumë persona, kryersi i veprës dënohet nga 3 deri në 12 vjet burg.




