Piloti i Mercedesit, Andrea Kimi Antonelli, u shpreh i kënaqur me vendin e tretë në Çmimin e Madh të Hungarisë, duke vlerësuar se ekipi nxori maksimumin nga një garë shumë e vështirë.
Pas një fundjave të komplikuar për Mercedesin në Hungaroring, Antonelli u nis nga vendi i shtatë për shkak të një penalizimi, edhe pse në kualifikime kishte regjistruar kohën e katërt më të shpejtë. Gjatë garës ai dhe ekipi provuan një strategji ndryshe, fillimisht me vetëm një ndalesë në bokse, por konsumimi i madh i gomave i detyroi të ndryshonin planin.
Një periudhë me Virtual Safety Car, së bashku me tërheqjen nga gara të Oscar Piastrit, i hapi rrugën Antonellit drejt podiumit.
“Ishte një garë shumë e vështirë. Parakalimet ishin të komplikuara, ndaj duhej të provonim një strategji tjetër. Në fund arritëm të mbronim pozitën ndaj Ferrarit, edhe pse ata kishin goma më të freskëta”, tha italiani.
Antonelli theksoi se ky është rezultati më i mirë i mundshëm para pushimit veror dhe se skuadra duhet të vazhdojë punën, pasi pjesa e dytë e kampionatit do të jetë shumë sfiduese.

Falë podiumit në Hungari, ai rriti epërsinë në renditjen e përgjithshme ndaj Lewis Hamiltonit në 50 pikë, ndërsa ndaj shokut të skuadrës, George Russell, në 59 pikë.
“Nuk e prisja të isha në këtë pozitë në kampionat. Jam shumë i lumtur. Ky është skenari ideal për të shkuar në pushimin veror. Sot arritëm të kufizonim dëmin në mënyrën më të mirë të mundshme, por duhet të vazhdojmë të punojmë sepse pjesa e mbetur e sezonit do të jetë shumë e vështirë. Do të japim maksimumin”, përfundoi Antonelli.



