BE dhe ShBA drejt një marrëveshjeje për të shmangur tarifat për makinat dhe produktet e tjera
B

BE dhe ShBA drejt një marrëveshjeje për të shmangur tarifat për makinat dhe produktet e tjera

Ndërsa afati për arritjen e një marrëveshjeje tregtare me SHBA-në po afrohet, Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni po lëvizin drejt një marrëveshjeje bazike politike, duke lënë për më vonë diskutimet mbi detajet sektoriale.

Sipas disa diplomatëve dhe një zyrtari të BE-së, të dyja palët po punojnë për të arritur një “marrëveshje parimore” deri më 9 korrik, për të zgjidhur mosmarrëveshjen për tarifat doganore, në vend të një marrëveshjeje të plotë tregtare.

“Nëse arrihet një marrëveshje, rezultati më realist do të ishte një kornizë e përgjithshme apo një marrëveshje parimore – diçka që, për shkak të kufizimeve kohore, do të ngjante me marrëveshjet që SHBA ka arritur me Mbretërinë e Bashkuar ose me Kinën,” deklaroi një diplomat i lartë i BE-së.

“Kjo nuk do të ishte një marrëveshje e detajuar tregtare, por më shumë një mirëkuptim politik që do të hapte rrugën për marrëveshje më konkrete në të ardhmen,” shtoi ai, raporton Euronews.

Kjo marrëveshje u diskutua në fillim të kësaj jave në një takim me dyer të mbyllura në Bruksel, ku zyrtarë të Komisionit Evropian informuan ambasadorët e BE-së për ecurinë e negociatave me SHBA-në. Sipas një diplomati, ambasadorët u informuan edhe për një kundërpropozim të ri amerikan, që “nuk përmbante asgjë shumë konkrete”.

Presion nga të dyja anët

Si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja, janë nën presionin e afatit të 9 korrikut, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa 50% mbi importet nga BE-ja nëse negociatat dështojnë.

Që nga mesi i marsit, Uashingtoni ka zbatuar një politikë të re tregtare që ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet me partnerët tregtarë globalë. Aktualisht, SHBA aplikon tarifa prej 50% për çelikun dhe aluminin nga BE-ja, 25% për makinat dhe 10% për të gjitha importet tjera nga BE.

Pas disa javësh diskutimesh pa rezultat, negociatat mes Komisionit Evropian, që ka mandatin për të negociuar në emër të 27 shteteve anëtare – dhe administratës Trump filluan në mes të qershorit, por rezultati i tyre mbetet i paqartë.

Komisioni fillimisht kishte propozuar një marrëveshje me tarifa zero për produktet industriale dhe një ofertë për të blerë mallra strategjike si gazi natyror i lëngshëm nga SHBA. Por tani duket se po pranon një marrëveshje që do të mbajë një tarifë bazë prej 10% për importet nga BE-ja. Tarifa më të ulëta mund të negociohen më vonë për sektorë strategjikë si industria e avionëve, ku linjat e prodhimit janë të ndërlidhura mes dy anëve të Atlantikut.

Megjithatë, vendet anëtare janë të ndara rreth kësaj marrëveshjeje me tarifë bazë 10%. Gjermania dhe Italia raportohet se janë pro, ndërsa Irlanda dhe Franca mbeten skeptike.

“Nëse SHBA mban tarifat 10%, atëherë duhet të ketë kompensim për mallrat që importojmë nga SHBA,” deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron më 26 qershor pas një samiti të BE-së, duke shtuar: “Taksa duhet të jetë e njëjtë – 10% për 10%, ose ekuivalenti i saj.”

Një tjetër diplomat i BE-së tha për Euronews se dakordimi mund të jetë qëllimisht i shkurtër, për t’i lënë hapësirë palëve që të arrijnë marrëveshje më të detajuara për sektorë të ndryshëm në të ardhmen.

“Nuk përjashtohet mundësia që disa sektorë të përfshihen ndërsa të tjerët jo,” tha një zyrtar i BE-së.

Marrëveshje e pabarabartë?

Zyrtarët e Komisionit Evropian i kërkuan gjithashtu ambasadorëve të shqyrtojnë disa skenarë, përfshirë edhe mundësinë e një “marrëveshjeje asimetrike”, ku BE-ja do të bënte më shumë lëshime sesa SHBA-ja, si dhe skenarin e dështimit të plotë të negociatave, apo aktivizimin e masave hakmarrëse.

Gjatë të njëjtit takim me shtetet anëtare, Komisioni konfirmoi se një listë e dytë e kundërmasave të propozuara më 8 maj është ende në fazë përpunimi, sipas një diplomati tjetër të BE-së.

Kjo listë ka qenë subjekt i konsultimeve me industrinë për disa javë dhe shtetet anëtare do të duhet ta miratojnë zyrtarisht.

Lista e re synon produkte amerikane me vlerë 95 miliardë euro dhe do të shtohej mbi listën e parë të masave hakmarrëse, e cila përfshin produkte amerikane me vlerë 21 miliardë euro dhe është pezulluar deri më 14 korrik, pas një armëpushimi 90-ditor të shpallur nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Një ekip ekspertësh i Komisionit ndodhet këtë javë në Uashington për të avancuar negociatat. Ndërsa, komisioneri për Tregtinë i BE-së, Maroš Šefčovič, pritet të udhëtojë atje të mërkurën, për një takim të enjten me homologët e tij amerikanë: Sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard William Lutnick, dhe Përfaqësuesin amerikan për Tregtinë, Jamieson Lee Greer.

Të hënën, Šefčovič konfirmoi se BE-ja kishte marrë “draftin e parë të propozimeve amerikane për një marrëveshje të mundshme parimore.”/AutoPortal

TË FUNDIT