Prezantuesi i njohur britanik dhe ish-ylli i emisionit Top Gear, Jeremy Clarkson, pati një përvojë të pakëndshme gjatë testimit të Volvo ES90, pasi vetura elektrike refuzoi t’i hapte dyert në mes të një zone të izoluar.
Në fillim, Clarkson e vlerësoi shumë kabinën dhe cilësinë e materialeve, duke shkruar për The Times se makina “nuk është shumë elegante nga jashtë, por brenda të bën ta harrosh këtë”.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi pasi doli nga një takim pune. Karta inteligjente që zëvendëson çelësin nuk arriti ta zhbllokonte makinën, pavarësisht përpjekjeve të shumta, duke e detyruar Clarksonin të kërkonte dikë që ta dërgonte në shtëpi.
“Mbeta në mes të askundit dhe dyert nuk hapeshin. Thirra servisin dhe mekaniku më tha se duhej t’i riprogramonte ‘trurin’ makinës,” rrëfeu ai.
Problemet nuk përfunduan me kaq. Në përpjekjen tjetër, Clarkson-it iu desh ta kalonte kartën 14 herë mbi dorezën e derës derisa ajo u hap. Kur më në fund u ul në sedilje, ekrani shfaqi një tjetër mesazh zhgënjyes: “Sistemi operativ nuk mund ta detektojë çelësin”.



