Dacia ka prezantuar konceptin e ri Striker, një model që kombinon karakteristikat e një karavani, sedani dhe SUV-i, me synimin për të ofruar një alternativë më të përballueshme, më të lehtë dhe më praktike ndaj SUV-ve të mëdhenj.
Në një intervistë për portalin automobiliona.hr, zëvendëspresidenti i dizajnit të Dacia-s, David Duran, shpjegoi se emri Striker u zgjodh për lidhjen e tij me sportin dhe suksesin. “Në futboll do të thotë sulmues, ndërsa në bowling është goditja perfekte. Shpresojmë që edhe makina të jetë një sukses në treg”, tha ai.
Modeli i segmentit C pozicionohet me çmim nën Dacia Bigster dhe u drejtohet blerësve që nuk preferojnë SUV-të e mëdhenj dhe të rëndë. Me një peshë rreth 1.4 tonë, qendër graviteti më të ulët dhe aerodinamikë të përmirësuar, Striker premton drejtim më dinamik, aftësi të mira në terrene me dëborë dhe konsum karburanti më të ulët se 5 litra për 100 kilometra.
Një nga risitë më interesante gjendet në kabinë. Në vend të një ekrani të madh pas timonit, Dacia ka përdorur një ekran 7-inç që, falë reflektimit në xham, krijon efektin e një ekrani holografik, duke ofruar informacionin kryesor pa rritur koston e automjetit.
)
Për familjet, Striker sjell edhe zgjidhje praktike. Në mbështetësen e pasme të krahut është integruar një pllakë speciale për ngjitjen e LEGO-ve, që u mundëson fëmijëve të luajnë gjatë udhëtimeve. Automjeti përfshin gjithashtu sistemin YouClip për fiksimin e aksesorëve, hapësira shtesë për ruajtje, një shtresë multifunksionale për piknik ose joga, si dhe përmasat e bagazhit të gdhendura në centimetra, duke e bërë më të lehtë kontrollin nëse një objekt i madh futet në bagazh.



