Drejtoresha ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, ka thënë se familjarët nuk e ndajnë pasurinë siç duhet dhe nuk e ndajnë barabartë në mes djemve dhe vajzave.
Demolli tha se nëse shihet statistikash, në Kosovë vetëm prej 4 deri në 6 për qind e grave trashëgojnë prona nga familjet e tyre.
“Dhe ato gra në këtë numër janë gra, kryesisht ose janë të vetmet në familje ose trashëgojnë një pjesë, jo në mënyrë të barabartë, por vetëm një pjesë, shembull një banesë, por jo tokën, sepse kur e shohim kapitalin e tokës që familjet ia japin grave, ne e shohim se vetëm tre për qind gratë kanë tokë në emrin e tyre”, tha ajo në emisionin “Kosova today” në Klan Kosova.
Tutje, ajo tha se në këtë pjesë vërehet mendësia patriarkale dhe mosfunksionimi i shtetit, pasi sipas saj, në asnjë mënyrë nuk është parë ndonjë intervenim për ta ndryshuar situatën.