Një akt i papërgjegjshëm është zbuluar falë një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku një shtetas shfaqej duke dëmtuar tabelat e sinjalistikës rrugore në aksin “Bestrovë-Bunavi”. Reagimi i shpejtë i Policisë së Vlorës çoi në ndalimin e autorit të dyshuar të këtij veprimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë ndërmorën menjëherë veprime hetimore për identifikimin e personit në fjalë dhe verifikimin e ngjarjes. Si rezultat, u ndalua shtetasi B. H., 43 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se më datë 7 korrik 2025 ka dëmtuar dhe hequr tri tabela sinjalistike në zonën e përmendur, shkruan AutoPortali.
Policia ka referuar materialet procedurale në Prokurori, për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve”, një shkelje që jo vetëm dëmton pasurinë publike, por rrezikon seriozisht sigurinë e përdoruesve të rrugës.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë u bën thirrje qytetarëve dhe mediave të vijojnë bashkëpunimin për denoncimin e çdo rasti të paligjshmërisë, duke garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të menjëhershëm sipas ligjit.



