747 milionë vizitorë ndërkombëtarë mbërritën në kontinent gjatë vitit 2024, duke e bërë atë destinacionin më të vizituar në botë. Më shumë se 70% e tyre u përqendruan në vendet e Europës Jugore dhe Perëndimore – si Spanja, Franca, Italia dhe Greqia – duke shtuar presion të jashtëzakonshëm mbi infrastrukturën, banesat, burimet natyrore dhe vetë jetën e përditshme të banorëve.
Nga suksesi në krizë
Sipas AP, fenomeni i “overtourism” nuk është më thjesht një term akademik: është bërë realitet i dhimbshëm në qytete si Barcelona, ku protestuesit kanë spërkatur turistë me armë uji në shenjë revolte. Në Venecia, radhët e gjata për të hyrë në qendër kanë rikthyer tarifat sezonale të hyrjes, deri në 10 euro për vizitorë.
Në ishujt Santorini dhe Mykonos, popullsia përballet me mungesë uji, energjie dhe rritje të çmimeve të banimit, ndërsa Spanja ka urdhëruar heqjen e mbi 66,000 banesave me qira afatshkurtër që kanë ndikuar në krizën e strehimit për banorët.
Çfarë po e nxit këtë bum turistik?
- Fluturimet me kosto të ulët;
- Rrjetet sociale që “inflamojnë” destinacionet e famshme;
- Planifikimi i udhëtimeve përmes inteligjencës artificiale;
Një ekonomi e qëndrueshme në vendet dërguese të turistëve, si SHBA, Japonia, Britania e Madhe dhe Kina.
Kombinimi i këtyre faktorëve ka kthyer shumë qytete në “muze të gjalla”, por me një kosto gjithnjë e më të madhe për banorët lokalë.
Si po reagojnë autoritetet?
Në Itali, Ministrja e Turizmit Daniela Santanchè propozon përdorimin e AI-së për menaxhimin e flukseve, duke i lidhur biletat në muze me rezervimet e udhëtimeve, në mënyrë që të shmangen mbipopullimet.
Greqia do të fillojë nga 1 korriku zbatimin e një takse për turistët me anije kroçere – 20 euro për ishujt kryesorë dhe 5 euro për destinacionet më të vogla. Po ashtu, vendi po përdor desalinizimin dhe cisternat e ujit për të përballuar mungesën në ishuj gjatë verës.
Në Francë, muzeu i famshëm Louvre u mbyll përkohësisht pas grevës së stafit që denoncoi dëmet e turmave të mëdha, ndërsa Uber në bregdetin Amalfi të Italisë tashmë ofron helikopterë dhe anije private për të shmangur turmat.
Turizmi – një bekim që po kthehet në barrë
Njohësit e urbanizmit paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerren masa afatgjata, shumë nga destinacionet më të famshme europiane do të shndërrohen në “monokultura turistike”, ku jetesa autentike lokale zbehet dhe vendi bëhet thjesht skenografi për vizitorët.
“Po humbasim shumëllojshmërinë sociale dhe ekonomike të këtyre zonave,” thotë urbanisti Angelos Varvarousis. /AutoPortali



