FIA ka miratuar kalendarin me pesë gara të Kampionatit Botëror Rally-Raid 2027, pas votimit elektronik të Këshillit Botëror të Sportit Motorik.
Sezoni i ri do të zhvillohet sërish në tri kontinente, duke përfshirë disa nga garat më të njohura të rally-raid, por edhe evente më të reja që tashmë janë bërë pjesë e rëndësishme e kampionatit.
Gara hapëse do të jetë edicioni i 49-të i Rally Dakar, i cili do të zhvillohet në Arabinë Saudite nga 1 deri më 15 janar 2027. Pas një pushimi më shumë se dy muaj, kampionati do të vazhdojë me Abu Dhabi Desert Challenge, që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe nga 21 deri më 26 mars.
Më pas, kampionati do të rikthehet në Afrikë me South African Safari Rally, e cila rikthehet në kalendar pas një viti mungesë. Gara do të zhvillohet nga 14 deri më 19 qershor, duke zëvendësuar këtë herë Desafío Ruta 40 të Argjentinës në rotacionin mes dy eventeve.
Pas pushimit veror, konkurrenca do të zhvendoset në Evropë me bp Ultimate Rally-Raid Portugal, e cila do të zhvillohet për të katërtin vit radhazi nga 21 deri më 26 shtator.
Finalja e sezonit do të mbahet në Marok me Rallye du Maroc, edicioni i 28-të i së cilës do të zhvillohet nga 24 deri më 29 tetor.
FIA ka ndryshuar hapësirat mes garave për t’u dhënë ekipeve dhe pilotëve më shumë kohë për përgatitje, rikuperim dhe organizim më efikas të logjistikës. Pas Dakarit, qëndrimi në Lindjen e Mesme do të lehtësojë transportin e mjeteve dhe pajisjeve drejt Abu Dhabit.
Mes garës në Afrikën e Jugut dhe asaj në Portugali do të ketë një interval prej tre muajsh, ndërsa mes Portugalisë dhe finales në Marok do të ketë katër javë kohë për përgatitje.
Presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem, tha se Kampionati Botëror Rally-Raid po vazhdon të rritet, duke tërhequr më shumë tifozë, prodhues dhe konkurrentë nga e gjithë bota.

“Ky kampionat është një sfidë unike në motorsportin botëror dhe mezi pres një tjetër sezon emocionues të rally-t”, deklaroi ai.
David Castera nga organizata A.S.O. theksoi se kalendari i vitit 2027 kombinon garat më të rëndësishme të rally-raid me eventet e krijuara posaçërisht për kampionatin. Sipas tij, intervalet më të mëdha mes garave do të ndihmojnë ekipet të ulin kostot dhe të menaxhojnë më mirë programet e tyre sportive.



