Pas suksesit me sedanin sportiv SU7 dhe SUV-in YU7, Xiaomi ka prezantuar dy modele të reja hibride me autonomi të zgjeruar (EREV), N70 Max dhe N90 Max, të cilat synojnë segmentin e automjeteve të mëdha familjare. Para shitja në Kinë ka nisur, ndërsa shitjet zyrtare fillojnë në shtator. Në tregun evropian pritet të mbërrijnë gjatë vitit 2027.
Ndryshe nga hibridet tradicionale plug-in, motori 1.5-litërsh me benzinë nuk lëviz rrotat, por shërben vetëm si gjenerator për të karikuar baterinë gjatë udhëtimit, ndërsa automjeti lëviz gjithmonë me motorë elektrikë.
Të dy modelet ofrojnë 422 kuaj fuqi, lëvizje me të katër rrotat dhe një bateri 76 kWh, e cila mund të karikohet nga 20 në 80 për qind për vetëm 18 minuta. Sipas standardit kinez CLTC, N70 Max mund të përshkojë deri në 505 km vetëm me energji elektrike dhe ka autonomi totale prej 1.461 km, ndërsa N90 Max arrin 464 km elektrikisht dhe deri në 1.705 km me rezervuarin plot.
)
Modeli N70 Max është 4.96 metra i gjatë dhe ofron hapësirë për pesë pasagjerë, ndërsa N90 Max, me gjatësi 5.29 metra, ka tri radhë ulësesh në konfigurim 2+2+3. Kabina është projektuar si një “dhomë ndenjeje lëvizëse”, me ulëse që rrotullohen 180 gradë, tavolinë të palosshme, frigorifer të integruar dhe ekran të madh që zbret nga tavani.
Në Kinë, N70 Max kushton nga 33.400 euro, ndërsa N90 Max nga 38.500 euro. Nëse Xiaomi arrin të ruajë çmime të ngjashme edhe në Evropë, prodhuesit tradicionalë të SUV-ve premium mund të përballen me konkurrencë serioze.



