Një test i realizuar nga revista gjermane Auto Bild ka nxjerrë rezultate befasuese, duke treguar se disa automjete klasike konsumojnë më pak karburant se pasardhësit e tyre modernë.
Në testimin e 110 modeleve klasike në të njëjtën itinerar, plot 12 automjete regjistruan konsum mesatar nën 6 litra për 100 kilometra. Kampioni absolut ishte Volkswagen Golf I Diesel i vitit 1983, i cili konsumoi vetëm 3.9 litra naftë për 100 kilometra, më pak se Golf 8 2.0 TDI, që shënoi 4.3 litra në të njëjtin test.
Sipas ekspertëve, sekreti qëndron te pesha e ulët. Golfi i parë peshon vetëm 851 kilogramë, ndërsa modeli i ri është gati gjysmë toni më i rëndë për shkak të sistemeve moderne të sigurisë, elektronikës dhe pajisjeve shtesë.
Rezultate të ngjashme u panë edhe te modelet me benzinë. Fiat 500 klasik konsumoi vetëm 4.8 litra/100 km, duke lënë pas Fiat 500 Hybrid, i cili regjistroi 5.2 litra. Edhe pse modeli i ri është shumë më i fuqishëm, më i sigurt dhe më komod, makina klasike fitoi në aspektin e konsumit.

Sipas inxhinierëve, automjetet e vjetra arrijnë konsum kaq të ulët falë peshës së vogël, motorëve të thjeshtë, mungesës së sistemeve të rënda elektronike dhe stilit më të qetë të drejtimit që karakterizonte atë periudhë.
Edhe pse makinat moderne ofrojnë nivele shumë më të larta sigurie dhe komoditeti, ky test tregon se disa modele klasike mbeten ende shembull për efikasitetin në konsumimin e karburantit.



