Manchester City e ka çuar në 30 numrin e ndeshjeve të Ligës së Kampioneve të pamposhtur në “Etihad Stadium”. Kampionët e Evropës e thelluan më tej rekordin e klubeve angleze, ndërsa më parë ai mbahej nga Arsenali me 24 ndeshje pa humbje në shtëpi në Ligën e Kampioneve, vendosur midis shtatorit 2004 dhe prillit 2009.
Tani “qytetarët” mbeten 8 ndeshje larg rekordit të përgjithshëm, të vendosur nga Barcelona midis viteve 2013 dhe 2020. Humbja e fundit e Manchester Cityt në shtëpi, ndodhi më 19 shtator 2018, nga Lyon. Që atëherë, ata kanë bërë katër sezone të plota pa humbur në “Etihad”, duke përfshirë ecurinë e jashtëzakonshme të sezonit të kaluar, deri në suksesin në Stamboll.
Nga këto 30 ndeshje, 28 kanë qenë fitore dhe shumë netë të paharrueshme.
Aktualisht skuadra e Pep Guardiolës ka 22 ndeshje pa humbje në shtëpi dhe jashtë në Europë.
Ata i kanë fituar gjithashtu 10 ndeshjet e tyre të fundit në Champions, duke u bërë skuadra e parë angleze që arrin këtë shifër. Suksesi i së mërkurës mbrëma kundër Copenhagen i siguroi gjithashtu biletën e shtatë radhazi në çerekfinale. City do ta mësojë kundërshtarin e kësaj faze në shortin e së premtes (15 mars) ora 12:00.