Kampioni në fuqi i Botërorit të Rally-t, Sebastien Ogier, do të garojë këtë fundjavë në Rally Finland me bashkëdrejtuesin e tij të dikurshëm, Julien Ingrassia.
Ingrassia do të zëvendësojë Vincent Landais, i cili nuk do të jetë i pranishëm për arsye personale. Landais ka qenë bashkëdrejtuesi i rregullt i Ogierit që nga Rally Japan 2022.
Ogier dhe Ingrassia fituan së bashku tetë tituj botërorë, ndërsa francezi u tërhoq nga garat në fund të sezonit 2021.
“Fatkeqësisht, Vincent nuk mund të jetë me ne këtë javë për arsye personale. Jam shumë i lumtur që miku im i vjetër, Julien, pranoi të rikthehet dhe të jetë bashkëdrejtuesi im. Mezi pres të bashkëpunojmë sërish”, tha Ogier.
Pas largimit nga garat, Ingrassia ka mbetur i lidhur me WRC-në si komentator televiziv dhe ishte një nga themeluesit e World Rally Drivers Alliance (WoRDA), organizatës që përfaqëson pilotët e Kampionatit Botëror të Rally-t.
Për Ingrassian, kjo do të jetë paraqitja e parë në WRC që nga Rally Monza 2021, garë të cilën ai dhe Ogier e fituan për të siguruar titullin e tyre të tetë botëror.

“Rally Finland do të jetë një sfidë për mua, por jam shumë i lumtur që do t’i bashkohem sërish Sebastienit dhe do të ndihmoj Vincentin dhe ekipin. Shihemi në etapat speciale”, u shpreh Ingrassia.
Para Rally Finland, Ogier renditet i katërti në kampionat, me 38 pikë më pak se kryesuesi Elfyn Evans.



