Një incident i rrezikshëm në Francë mund të kishte përfunduar me pasoja tragjike, pasi një Citroën e-C3 i ri elektrik frenoi papritur deri në ndalim të plotë ndërsa po lëvizte me 80 km/h, edhe pse përpara nuk kishte asnjë pengesë.
Automjeti, i blerë vetëm pak muaj më parë dhe me rreth 7.000 kilometra të përshkuar, u ndal papritur në mes të korsisë pa asnjë paralajmërim. Pronari, Bernard, tha se pati fat që në atë moment nuk kishte automjete pas tij, pasi një përplasje do të kishte qenë pothuajse e pashmangshme.
Pas ndërhyrjes së policisë, makina u ndez sërish pas rreth 20 minutash, por u dërgua me karrotrec në servis. Kontrolli zbuloi se motori elektrik ishte me defekt dhe duhej zëvendësuar, megjithëse mbetet e paqartë se si ky problem shkaktoi frenimin e menjëhershëm.
)
Citroën France deklaroi se po e ndjek rastin dhe se bëhet fjalë për një incident të izoluar, jo për një defekt të serisë. Megjithatë, në forume dhe rrjete sociale po shtohen raportimet e pronarëve të tjerë që pretendojnë se kanë përjetuar probleme të ngjashme. Pronari i automjetit ka paralajmëruar se do t’i drejtohet gjykatës dhe do të kërkojë ndërprerjen e kontratës së leasingut nëse problemi përsëritet.



