Qëndrim Thaçi, një sipërmarrës shqiptar nga komuna e Drenasit që jeton dhe vepron në Itali, ka impresionuar të pranishmit me prezantimin e veturës së parë shqiptare të quajtur “Illyrian TSX”, e cila të dielën qëndroi për disa orë në hotel “Brezovica”, në Brezovicë.
Ky projekt përfaqëson jo vetëm një arritje në fushën e automobilizmit, por edhe një krenari kombëtare për shqiptarët, duke shtuar në listën e prodhimeve dhe inovacioneve të vendit një emër tjetër në skenën botërore të makinave të performancës së lartë.
Thaçi në një intervistë për Telegrafin ka rrëfyer për lidhjen e hershme me botën e makinave, pas një incidenti të rastësishëm me një Ferrari 250 kur ishte i ri, e cila siç tha ai “ka nxitur dashurinë dhe interesin për automobilizmin”.
“Kur kam qenë kam qenë i vogël, kemi emigruar në Itali. Kur kam luajtur futboll me italianët, e kam shutu topin dhe e kam rrok Ferrarin 250, me numër 07 në derë. Unë nuk e dija se çfarë makine ishte ajo. E rroka makinën pa e pa, e mora topin, edhe ky zotëria po e çelë xhamin dhe po më thotë mua ‘Ça ke rrokë?’, i thashë ‘një makinë’. E mandej më tha ‘ik largohu e shiko mirë çka ke rrokë’. Ai ka pas qëllim po ma merr mendja, për me ma ndezë atë farë ideje të makinës”, tregoi Thaçi.
I pyetur se cili ishte reagimi i parë i italianëve kur panë modelin e veturës “Illyrian TSX”, ai tha: “Më pyetën ‘pse’. Thashë du me ba krenar popullin tim shqiptar ashtu siç ju ka bërë krenar Enzo Ferrari, që është i mbrojtur shtet… I kam 32 vjet e tash e po e ndjej fuqinë, se e pruna këtë punë n’dritë, mbi ujë. Edhe po e ndjejë fuqinë dhe sigurinë prej shqiptarisë time, që ma kanë dhënë atë energji sikur e ka ndjerë Enzo Ferrari në atë kohë. Tash e di pse ai më ka zgjedhë mu me më thanë shko ma larg, e shikoje, për mu dashuru në këtë sistem”, shpjegoi ai.
Illyrian TSX , sipas Thaçit, është një veturë e modeluar në vitin 2016 dhe është e veçantë për disa karakteristika të saj, si gjerësia dhe zbulimi në fushën e aerodinamikës që eliminojnë nevojën për fshirëse xhamash.
Ai po ashtu shpjegoi se ç’do të thotë “Illyrian TSX”.
“Illyrian shqip dhe TSX është emër italian dhe është një falënderim. Falënderim italianëve që më kanë besu me çu këtë kryevepër, pasi unë e kam vizatu këtë makinë, e kam dizajnuar në 2016-ën dhe e kam modeluar. Kjo është makina më e gjanë në botë, ka dy metra gjerësi pa pasqyrë, 2.20 cm është me pasqyrë. Është një zbulim që kam bërë të aero dinamikës, pasi ajri hynë brenda, mbrapa nuk kemi nevojë më për një fshirëse xhamash, por me rregullore ne e qesim’, tregoi ai.