Julien Ingrassia ka zbuluar detaje tronditëse nga aksidenti i rëndë i Sebastien Ogier në Rally Finland, ku dyshja doli nga rruga ndërsa kryesonte garën dhe u përplas me pemët. Falë sigurisë së makinës Rally1, të dy shpëtuan pa lëndime serioze, megjithëse Ogier humbi ndjenjat menjëherë pas daljes nga makina.
“Pashë Seb-in të dilte, por pak çaste më vonë u shtri në bar dhe humbi ndjenjat”, tha Ingrassia për L’Équipe. Ai shpjegoi se fillimisht aktivizoi procedurat standarde të sigurisë, por sapo kuptoi gjendjen e Ogier, ndezi sinjalin e emergjencës dhe, me ndihmën e disa spektatorëve, i mbajti kokën të palëvizur derisa mbërritën ekipet mjekësore.
Sipas tij, goditja ishte shumë e fortë, pasi makina hyri në kthesë me rreth 140 km/h. Analizat fillestare tregojnë se nuk pati defekt teknik apo gabim të pilotit. Dyshohet se një brazdë e krijuar në kthesë e devijoi makinën majtas, duke shkaktuar daljen nga rruga.
Toyota ka konfirmuar se ekuipazhi është në gjendje të mirë dhe tani do të përqendrohet në rikuperim. Vincent Landais pritet të rikthehet përkrah Ogier në garat e mbetura të sezonit.



