Policia e Kavajës ka proceduar penalisht katër shtetas që kishin zënë hapësira publike në zonën e Golemit, duke i kthyer ato në ambiente për ushtrim aktiviteti ekonomik, në kundërshtim me ligjin.
Rasti u evidentua gjatë vijimit të operacionit “Plazhi i lirë”, që ka për qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe kontrollin e bizneseve që operojnë gjatë sezonit veror.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasit Z. Xh., 54 vjeç, R. A., 57 vjeç, E. Q., 42 vjeç dhe K. Sh., 43 vjeç, banues në Durrës dhe Kavajë, kishin zënë secili nga një sipërfaqe publike të vijës bregdetare, të cilën e kishin përshtatur për aktivitete private pa lejet përkatëse nga institucionet kompetente.
Policia ka referuar materialet në Prokurori dhe ndaj tyre ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës bën me dije se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje për të garantuar qasjen e lirë të qytetarëve në plazhe dhe sigurinë gjatë sezonit turistik. Policia u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje të ngjashme në numrin 112. /AutoPortali



