Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese, për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Përmes një kumtese për media bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe, e cila përfundon më 28 dhjetor 2024, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ-ja rishikimin e saj përmes sistemit elektronik apo duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur. Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Lista Preliminare e Votuesve është publikuar në platformën elektronike të vendosur në ueb faqen e KQZ-së: www.kqz-ks.org ose në vegzën direkte http://qv.kqz-ks.org
Për të kundërshtuar pasaktësitë për Listën Preliminare të Votuesve, votuesi duhet të indentifikohet me njërin nga tri dokumentet: Letërnjoftim i vlefshëm; pasaportë e vlefshme; leje e vozitjes e vlefshme.
Për informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në këtë linjë ndihmëse pa pagesë 0800 55 555./KlanKosova/



