Luiza Gega u rendit e pesta në garën e 3000 metrave me pengesa në Kampionatin Europian të Atletikës, eveniment që po mbahet në Romë që prej datës 7 qershor.
Gega mbajti ritmin me kreun për më shumë se 3/4 e garës, por në fund kampionia shqiptare nuk arriti të qëndronte në zonën e medaljeve, edhe pse shënoi rezultatin më të mirë sezonal.
Gega regjistroi kohën 9:22.92, duke u klasifikuar në vend të pestë, për të dorëzuar kurorën e kampiones së Europës, të cilën e mbante prej 2 vitesh.
Megjithatë Luiza vijon të mbajë rekordin e Kampionatin Europian në garën e 3000 metrave me pengesa, falë rezultatit të jashtëzakonshëm që fiksoi në Mynih 2022, përcjell albinfo.ch.
Luiza Gegën e presin Lojërat Olimpike “Paris 2024”, evenimenti më madhor sportiv, që do të mbahet nga 26 korriku deri më 11 gusht në kryeqytetin francez, ku 35-vjeçarja shqiptare shkon e kualifikuar me normë.



