Mbetjet hapësinore po bien në trajektoret e avionëve. A përbëjnë rrezik?
M

Mbetjet hapësinore po bien në trajektoret e avionëve. A përbëjnë rrezik?

Kontrollorët e trafikut ajror tani kanë një shqetësim të ri: mbetjet hapësinore. Një raport paralajmëron se rreziku që pjesët e mbetura nga një raketë lëshimi apo mbeturina të tjera të bien në korridoret globale të fluturimeve është 26 për qind në vit, sipas një raporti të publikuar në revistën Nature.

Ndërsa shanset që mbetjet të godasin një avion janë të ulëta, prania e tyre në rrugët ajrore mund të përbëjë ende një rrezik të mjaftueshëm sa për të detyruar ndryshimin e itinerareve, duke shkaktuar shqetësime për pasagjerët. Ndërprerje të tilla nuk janë të padëgjuara. Në vitin 2022, një copë 20 tonëshe e një rakete që hynte sërish në atmosferën e Tokës detyroi autoritetet ajrore spanjolle dhe franceze të mbyllnin pjesë të hapësirës së tyre ajrore.

Me rritjen e numrit të lëshimeve çdo vit, rriten edhe rreziqet e mbeturinave që bien në Tokë. Ndërsa rreziku për të goditur dikë në tokë mbetet relativisht i ulët, vetëm 3 për qind, më shumë lëshime nënkuptojnë më shumë rreziqe.

Ka dy kategori kryesore që duhen marrë në konsideratë: mbetjet që bien në Tokë menjëherë pas një lëshimi dhe mbetjet që bien pasi kanë kaluar vite në orbitë. Ky është një dallim i rëndësishëm, pasi monitorimi dhe kontrolli i mbetjeve është i ndryshëm në secilin nga këto skenarë.

Skenari i parë, megjithëse jo më pak alarmues, është më i lehtë për t’u menaxhuar, thotë Ewan Wright, një student i diplomuar në Universitetin e Kolumbisë Britanike dhe bashkautor i studimit. Ai përmend shpërthimin e fundit të një rakete SpaceX menjëherë pas lëshimit. Autoritetet ajrore mundën të mbyllnin shpejt hapësirën e prekur ajrore.

Kjo nuk është aq e lehtë kur diçka që ka qenë në orbitë për vite të tëra bie në Tokë për shkak të gravitetit të saj. Ka pak paralajmërim se kur mund të ndodhë kjo, dhe edhe më pak mundësi për të monitoruar rënien e mbetjeve.

Numrat që mbështesin raportin tregojnë se këto skenarë të mundshëm po shtohen. Në vitin 2024, ka pasur 258 lëshime të suksesshme të raketave dhe 120 raste të rikthimeve të pakontrolluara të mbetjeve të raketave, ndërkohë që mbi 2300 trupa raketash ndodhen ende në orbitë. Ndërkohë, pritet që numri i pasagjerëve ajrorë të rritet me 7 për qind këtë vit.

Menaxhimi i skenarit të parë, mbetjet që bien menjëherë pas një lëshimi, është teorikisht më i lehtë. Fazat e raketave të pajisura me shtytës mund të ndezin motorët e tyre për një rikthim të kontrolluar. Kjo ndodh në disa raste, por jo në të gjitha.

Arsyeja pse më shumë lëshime nuk menaxhohen në këtë mënyrë lidhet me koston dhe rregulloret. Krijimi i një rikthimi të kontrolluar kushton më shumë. Shumë raketa tani mbajnë satelitë nga interesa tregtare dhe ushtarake. Asnjë prej tyre nuk dëshiron të mbulojë shpenzimet shtesë. Gjithashtu, ashtu si me menaxhimin e sasisë së mbetjeve hapësinore, nuk ka marrëveshje ndërkombëtare detyruese dhe të zbatueshme.

Marrëveshjet ndërkombëtare do të krijonin një fushë loje të barabartë. “Nëse një vend vendos rregulla të reja, kjo do ta vendoste atë në një disavantazh ndaj konkurrentëve,” thotë Wright.

Mbetjet që bien papritur nga orbita janë më të vështira për t’u monitoruar dhe kontrolluar, veçanërisht pasi shpejtësia e tyre e rënies është 8 deri në 10 km/h. “Është e vështirë të parashikosh rikthimin në atmosferë,” thotë Wright. “Nëse gabon edhe pak, mbetjet mund të godasin një vend apo kontinent tjetër nga ai që ke parashikuar.”

Kontrollorët e trafikut ajror nuk duhet të jenë ata që marrin vendime të menjëhershme se cilat pjesë të hapësirës ajrore duhet të mbyllen për këto ngjarje, thotë Aaron Boley, një profesor në UBC dhe bashkautor i studimit.

“Rikthimet e pakontrolluara të trupave të raketave janë një zgjedhje e projektimit, jo një domosdoshmëri,” tha Boley në një deklaratë për shtyp. “Industria hapësinore po eksporton rrezikun e saj te linjat ajrore dhe pasagjerët.”

Shqetësimi më i madh i autorëve të studimit është se, ndonëse shanset për një incident të vetëm janë të vogla, me rritjen e numrit të lëshimeve dhe akumulimin e satelitëve në orbitë, mundësitë për një katastrofë do të rriten. Rregulloret e njëtrajtshme dhe monitorimi global mund të minimizojnë rrezikun e dëmtimeve ose vdekjeve nga mbetjet hapësinore.

“Duhet të kërkojmë ndryshim para se dikush të dëmtohet,” thotë Wright. / CBS News – Syri.net

TË FUNDIT