Muzika e Michael Jackson vazhdon të ndikojë shumë, dhe tani adhuruesit e tij kanë mundësinë të blejnë një objekt unik: “Mercedes-Benz SL 600” që përdorte vetë ‘mbreti i popit’. Kjo makinë luksoze, model i vitit 1999, ka një histori të veçantë dhe një stil elegant, transmeton AutoPortali.
Modeli SL 600, i gjeneratës R129, u blen nga Jackson në vitin 1999 gjatë martesës me Debbie Rowe. Makinës i jep jetë një motor V12 me 6,0 litra dhe 394 kuaj fuqi.
Kjo SL e rrallë është e zezë dhe është e pajisur me sistem audio premium McIntosh, ideal për të dëgjuar këngët e tij ikonike në cilësinë më të lartë. Deri tani, ka përshkuar rreth 150,000 kilometra dhe aktualisht ndodhet në Bocholt, North Rhine-Westphalia, ku shitet përmes platformës mobile.de.
Pronari aktual e solli makinën nga SHBA në vitin 2016 dhe e rindërtoi plotësisht mekanikisht në Mercedes. Pezullimi dhe katalizatori janë të rinj.
Sipas njoftimit të shitjes, makina është në gjendje të shkëlqyer dhe shitësi premton certifikatë TÜV pas blerjes, shkruan Revija.
Çmimi fillestar është 59,000 euro, me mundësi për negociata. Reklama përmend me humor se “me një Moonwalk të mirë, mund të fitoni edhe një zbritje shtesë”.



