Kampionati më i fortë i basketbollit në botë, NBA, në mbrëmjen e kaluar, rezervoi jo vetëm spektaklin e zakonshëm, por edhe një rekord të ri shumë të vështirë për t’u arritur. Nuk është Stephen Curry, Antetokoumpo apo Kevin Durant. Basketbollisti i Phoenix Suns, Grayson Allen shënoi plot 21 pikë në vetëm 10-minutëshin e parë të takimit ndaj Toronto Raptors.
Ajo çka e bën një rekord këtë statistikë, është se pikët erdhën vetëm nga gjuajtjet për tri pikë. Allen shënoi 7 nga 8 tentimet e tij. Ndihmë të madhe për këtë rekord, 28-vjeçari pati nga ylli i skuadrës, Kevin Durant.
E gjithë përballja u mbyll me fitoren e Suns 120-113 në shtëpi ndaj Torontos. Më i miri i mbrëmjes ishte sërish Durant me 35 pikë të shënuara në të dytën mbrëmje radhazi. Ndërkohë nga ana tjetër, Immanuel Quickely shënoi një “double-double” me 21 pikë e 18 asistime.