Një valë ekstreme e të nxehtit që përfshiu Evropën fundin e qershorit, ka shkaktuar rreth 2 300 vdekje, shumica prej të cilave lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike, sipas një studimi të publikuar nga Imperial College London dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine.
Sipas studimit, rreth 1 500 nga vdekjet (ose 65 për qind e totalit) janë pasojë e valës më të fuqishme të të nxehtit, e nxitur nga ngrohja globale. Ndryshimet klimatike thuhet se kanë trefishuar numrin e vdekjeve të lidhura me të nxehtNgrNin në fillim të kësaj vere.
Hulumtimi u përqendrua në periudhën 23 qershor – 2 korrik dhe analizoi të dhënat nga 12 qytete të mëdha evropiane, përfshirë Londrën, Parisin, Frankfurtin, Budapestin, Zagrebin, Athinën, Romën, Milanon, Sassarin, Barcelonën, Madridin dhe Lisbonën. Gjatë kësaj kohe, këto qytete përjetuan një rritje të temperaturave deri në 4 gradë Celsius mbi mesataren.
“Gjetjet janë të qarta: valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe më të forta për shkak të ndikimit njerëzor në klimë”, thuhet në raport, shkruan TheGuardian.
Shkencëtarët paralajmërojnë se këto ngjarje ekstreme do të intensifikohen edhe më shumë në të ardhmen, duke rritur rrezikun për shëndetin publik, veçanërisht në qytetet me popullsi të dendur dhe infrastrukturë të papërshtatshme për temperaturat ekstreme.
Ndërkohë, Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Kopernikus i BE-së bëri të ditur se qershori i vitit 2025 ishte i treti më i ngrohtë që është regjistruar ndonjëherë në nivel global.
“Evropa Perëndimore u godit nga një valë e jashtëzakonshme e nxehtësisë, e përkeqësuar nga temperaturat rekord të detit në Mesdheun perëndimor”, deklaroi Samantha Burgess, nga Qendra Evropiane për Parashikime të Motit. Ajo shtoi se në vitet në vijim, valët e nxehtësisë pritet të bëhen më të shpeshta, më të rënda dhe më të rrezikshme për qytetarët evropianë. /AutoPortali



