Piastri thotë se ka marrë leksion në Baku
P

Piastri thotë se ka marrë leksion në Baku

Piloti i McLarenit, Oscar Piastri, ka thënë se ka nxjerrë mësime të rëndësishme për menaxhimin e rrezikut për pjesën e mbetur të sezonit, pas një fundjave të vështirë në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit.

Piastri pati një aksident dhe e përfundoi garën në Baku që në xhiron e parë. Ai u përplas edhe gjatë provave dhe kualifikimeve.

Megjithatë, ai vazhdon të kryesojë renditjen e përgjithshme me 25 pikë më shumë se shoku i skuadrës Lando Norris dhe 69 pikë para Max Verstappen (Red Bull), i cili ka fituar dy gara radhazi para garës së ardhshme në Singapor.

“Nuk duam fundjava si ajo në Baku dhe e dimë që nuk mund t’i përballojmë. Ishte një mësim i vështirë, por si skuadër kemi identifikuar disa gjëra që mund të përmirësojmë, dhe kjo është gjithmonë e rëndësishme”, tha Piastri në Singapor, sipas BBC.

Para garës në Baku, dukej se McLaren do të luftonte vetëm për titull, por dy fitoret e Verstappen e kanë rikthyer kampionin në lojë.

“Baku ishte një kujtesë e mirë se sa shpejt mund të ndryshojnë gjërat. Duhet të rikthehem te gjërat që më kanë bërë mua dhe skuadrën të suksesshëm”, shtoi australiani.

Ai pranoi se në Baku “e kishte tepruar me përpjekjet”, çka solli gabime dhe aksidente.

“Ishte e vështirë të lë pas atë që ndodhi në start. Ishte një leksion mbi rrezikun. Nuk mendoj se duhet ndonjë ndryshim i madh. Në 16 nga 17 fundjava, gjithçka ka funksionuar shumë mirë. Nëse përqendrohem te gjërat që kanë shkuar mirë, gjithçka do të jetë në rregull. Nuk është diçka dramatike,  vetëm disa gabime”, përfundoi Piastri.

Gara në Singapor zhvillohet të dielën në orën 14:00.

TË FUNDIT