Policia e Kosovës merr masa për sigurinë gjatë manifestimeve të Vidovdan-it
P

Policia e Kosovës merr masa për sigurinë gjatë manifestimeve të Vidovdan-it

Në kuadër të përgatitjeve për manifestimet e paralajmëruara për datën 28 qershor 2025 me rastin e “Vidovdan-it”, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të plota për garantimin e sigurisë, rendit publik dhe mbarëvajtjes së aktiviteteve në të gjithë vendin.

Masat përfshijnë planifikime operative dhe koordinime ndër-institucionale, të cilat janë prezantuar të premtën në një takim të mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, të cilët u informuan mbi detajet e planit operacional për menaxhimin e situatës.

Policia ka angazhuar njësitë në të gjitha rajonet dhe departamentet për të siguruar zhvillimin pa incidente të aktiviteteve, me theks të veçantë te parandalimi i çfarëdo forme provokimi apo veprimi të kundërligjshëm.

Në një apel drejtuar qytetarëve, PK kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit që të respektojnë ligjin, të shmangin provokimet dhe të bashkëpunojnë me zyrtarët policorë gjatë gjithë kohës. Policia thekson se do të jetë e pranishme në terren për të ofruar siguri dhe për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e manifestimeve.

Në rast të ndonjë bllokimi apo devijimi të përkohshëm të trafikut, qytetarët ftohen të tregojnë mirëkuptim.

TË FUNDIT