Linja ajrore irlandeze Ryanair ka paralajmëruar udhëtarët se do të anulojë të gjitha fluturimet drejt dhe nga Amani, kryeqyteti i Jordanisë, për një periudhë disa mujore gjatë verës dhe vjeshtës së këtij viti.
Sipas njoftimit zyrtar, fluturimet drejt dhe nga Amani janë pezulluar nga data 13 qershor deri më 30 shtator 2025. Kompania njoftoi se ky vendim është marrë për shkak të rrethanave jashtë kontrollit të saj, duke mos dhënë detaje të mëtejshme mbi shkaqet e sakta.
“Ryanair është detyruar me keqardhje të anulojë fluturimet drejt dhe nga Amani nga e premtja, 13 qershor, deri të hënën, 30 shtator. Pasagjerët e prekur do të njoftohen me email për opsionet e tyre”, tha një zëdhënës i kompanisë, transmeton AutoPortali.
Sipas The Sun, kompania kërkoi ndjesë për shqetësimet dhe u bëri thirrje pasagjerëve të shkarkojnë aplikacionin Ryanair për të marrë informatat më të fundit mbi udhëtimet e tyre.
Ky vendim vjen në vazhdën e zhvillimeve të tensionuara në Lindjen e Mesme, pas mbylljes së disa hapësirave ajrore si reagim ndaj sulmeve ushtarake mes Izraelit dhe Iranit, të cilat kanë ndikuar në anulimin e rreth 650 fluturimeve në dhe nga Evropa, ndërsa afro 1,800 fluturime janë prekur në total.
Oferta të reja “Now or Never” – çmime të ulëta për fluturime në shtator dhe tetor
Pavarësisht anulimeve, Ryanair ka shpallur një fushatë të re zbritjesh për destinacione të njohura në Evropë, në kuadër të ofertës “Tani ose kurrë”, e vlefshme për udhëtime nga 1 shtatori deri më 31 tetor 2025. Biletat me çmime të reduktuara duhen rezervuar më së largu deri më 18 qershor 2025.
Destinacionet e përfshira në ofertë:
Spanjë: Santander nga 36.54 euro, Barcelona Girona dhe Madrid nga 39.09 €, Murcia nga 45.04 euro, Gran Canaria nga 46.55 euro dhe Fuerteventura nga 47.85 euro
Mbretëria e Bashkuar: Bristol nga 20.16 euro, Glasgow nga 23.79 euro, Leeds Bradford nga 25.49 euro, Londër (Luton dhe Stansted) dhe Manchester nga 25.49 euro
Gjermani: Frankfurt Hahn nga 29.74 euro, Berlin Brandenburg nga 42.49 euro
Francë: Paris Beauvais nga 36.54 euro, Nantes dhe Biarritz nga 42.49 euro
Holandë & Luksemburg: Amsterdam nga 24.99 euro, Luksemburg nga 25.49 euro
Të gjitha këto oferta janë të disponueshme për rezervim në faqen zyrtare të Ryanair. /AutoPortali



