Një pajisje alkoolometri është vendosur në klubin GAA të St. Eunan në Irlandë, si pjesë e një iniciative të re për të parandaluar ngarjen nën ndikimin e alkoolit. Projekti, i zhvilluar nga Autoriteti për Sigurinë Rrugore të Irlandës (RSA) dhe i mbështetur nga Garda Siochana, synon të ofrojë një mjet të shpejtë dhe falas për kontrollin personal të nivelit të alkoolit, sidomos gjatë fundjavave.
Pajisja elektronike “Flinebox” ka një ekran me prekje dhe funksionon njësoj si alkoolometrat që përdor policia, duke i lejuar qytetarët të marrin matje të sakta dhe në kohë reale përpara se të vendosin të drejtojnë makinën.
Sipas të dhënave nga programi pilot i RSA-së, i cili u zhvillua nga gushti 2024 deri në shkurt 2025 në ambiente mikpritëse në gjashtë qarqe, mbi 24 mijë persona testuan veten me Flinebox, transmeton AutoPortali.
Sipas The Sun, rezultatet janë shqetësuese: 45 për qind e personave që rezultuan mbi kufirin ligjor të lejuar mendonin se ishin të aftë për të drejtuar. Më shumë se tre të katërtat prej tyre kishin në plan të ngisnin makinën.
Grupi më i rrezikuar sipas të dhënave ishin burrat e rinj të moshës 18–34 vjeç, të cilët shpesh nënvlerësojnë nivelin e alkoolit në gjak.
Drejtoresha për Partneritete dhe Çështje të Jashtme në RSA, Sarah O’Connor, tha se pajisjet janë vendosur si masë edukimi dhe vetëdijësimi: “Të dhënat tregojnë se shumë persona gabimisht mendojnë se janë nën kufi, duke rrezikuar veten dhe të tjerët. Mesazhi është i qartë: nëse ke konsumuar alkool, mos drejto.”
RSA njoftoi se pajisja është tashmë e disponueshme çdo fundjavë në ambientet e klubit GAA të St. Eunan’s në Letterkenny. Qytetarët ftohen ta përdorin për të marrë vendime të sigurta dhe të përgjegjshme. /AutoPortali



