Ish-drejtuesi i disa skuadrave të Formula 1, Otmar Safnauer, ka komentuar situatën e vështirë të Aston Martin, duke thënë se problemet e ekipit kanë nisur pesë vjet më parë.
I njohur si ish-inxhinier dhe drejtues i skuadrave që sot njihen si Alpine dhe Aston Martin, Safnauer beson se e di arsyen e rezultateve të dobëta të ekipit këtë sezon.
Gjatë një paraqitjeje në podcastin “High Performance Racing”, së bashku me komentatorin Jake Humphrey dhe ish-inxhinierin e garave të Ferrarit, Rob Smedley, ai foli për Aston Martin dhe pronarin e ekipit, Lawrence Stroll.
Sipas tij, edhe pse Aston Martin ka investuar shumë në infrastrukturë, ka një tunel aerodinamik modern, ka zhvilluar njësinë e re të fuqisë në bashkëpunim me Hondën dhe ka angazhuar Adrian Newey, një nga inxhinierët më të mirë në historinë e Formula 1, kjo nuk mjafton për të arritur sukses.
“Lawrence Stroll është pronar i këtij ekipi prej tetë vitesh, por duhet të kthehemi te ajo që ndodhi pesë vite më parë. Problemet lindin kur përpiqesh të përparosh shumë shpejt në Formula 1. Kur kërkon sukses brenda natës dhe nuk ke durim, rrezikon të humbasësh stafin cilësor. Ekipet më të suksesshme janë ato që kanë stabilitetin më të madh”, tha Safnauer.
Ai solli si shembull Mercedesin dhe Red Bullin, duke theksuar se stabiliteti ka qenë çelësi i suksesit të tyre.

“Shikoni Toto Wolff dhe Mercedesin. Shikoni sa të qëndrueshëm kanë qenë. E njëjta gjë vlente për Red Bull gjatë viteve të titujve kampionë, si dhe për Ferrarin nën drejtimin e Ross Brawn”, shtoi ai.
Pas zhvillimit të deritanishëm të sezonit, Aston Martin renditet në vendin e dhjetë në kampionatin e konstruktorëve me vetëm një pikë, të fituar nga Fernando Alonso në Çmimin e Madh të Monakos. Pas tyre ndodhet vetëm Cadillac, ndërsa Williams, që mban vendin e nëntë, ka tashmë 10 pikë më shumë.



