Së paku 10 njerëz janë vrarë dhe 35 të tjerë janë plagosur nga një sulm rus në një supermarket në Kostiantinivka, një qytet në rajonin lindor Donjeck të Ukrainës, thanë zyrtarët ukrainas.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, njoftoi në Telegram për numrin e rritur të viktimave.
“Terroristët rusë e goditën një supermarket të zakonshëm dhe një zyrë postare. Ka njerëz nën gërmadha. Operacioni për shpëtim ka filluar dhe do të bëjmë gjithçka për t’i shpëtuar ata”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në rrjetin social X.
Më herët, Zelensky tha se “tani për tani, dihet për katër njerëz të vrarë… së paku 24 njerëz të plagosur. Rusia do të mbahet përgjegjëse për këtë terror dhe ne do të bëjmë gjithçka për t’u siguruar që bota të vazhdojë ta mbështetë Ukrainën për t’u mbrojtur dhe për t’i shpëtuar njerëzit tanë”.



