Një rast i rëndë ka ndodh dje në qytetin e Ferizajt. Një burrë dyshohet se ka therur me thikë katër persona që ishin kalimtarë të rastit.
Burri Ekrem Sadiku që u arrestua dje se i dyshuar për rastin sot është liruar, pasi, sipas Prokurorisë ai nuk ka qenë i përfshirë në therjen e katër personave.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Shukri Jashari, kryeprokurori i Ferizajt.
“Personi që fillimisht është dyshuar – nuk ka qenë ai – është zbuluar gjatë hetimeve. Sot është arrestuar personi kryesor i dyshimit. Arrestimi i tij ka ndodh në orën 04:00 të mëngjesit”, tha Jashari për Gazetën Sinjali.
“Personi i parë i arrestuar dhe i liruar dhe ky që është arrestuar sot – nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin”.
Ndryshe, rastet e therjes kanë ndodh në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”, në rrethana që akoma nuk dihen.
Të lënduar nga i dyshuari kanë mbetur dy vajza të mitura: M.M., 10 vjeçare; L.M., 15 vjeçare; V.H., 29 vjeçar dhe N.M., 32 vjeçar.
Në lidhje me këtë është deklaruar familjari i vajzave të mitura që e pësuan në këtë rast.
Jeton Emini ka deklaruar se rreth orës 15:15 personi i moshuar ka therur me thikë vajzat e mitura që ishin mysafir tek ai.
Madje ai tha se therja në këtë rast u bë pikërisht para derës së shtëpisë së tij.



