Shefi i Ferrarit, Frederic Vasseur, kërkon një tjetër paraqitje të mirë të skuadrës në këtë fundjavë.
“Mbërrijmë në Budapest pas dy fundjavave inkurajuese, në të cilat arritëm të maksimizonim rezultatin falë punës së shkëlqyer në grup. Kjo na jep besim, por gjithashtu e dimë se çdo garë është histori më vete”, ka thënë Vasseur.
“Në letër, pista e Hungaroring mund t’i përshtatet karakteristikave të makinës sonë pak më mirë, por vetëm kjo nuk është garanci. Si gjithmonë, ekzekutimi do të bëjë diferencën. Do të duhet t’i qasemi fundjavës me të njëjtin fokus, disiplinë dhe vëmendje ndaj detajeve të treguara në garat e fundit. Kemi dy pilotë shumë të motivuar dhe e dimë se mund të mbështetemi në tifozët tanë“, shtoi ai.
“Qëllimi është të vazhdojmë në rrugën tonë, duke punuar shumë duke filluar nga e premtja për t’u vendosur në gjendjen më të mirë të mundshme për kualifikimet dhe garën“, përfundoi Vasseur para garës së radhës në Formula 1.



