Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot 1-vjetorin e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar.
Rama u shpreh se lumit të fundit të egër në Evropë i është dhënë statusi më i lartë i mbrojtjes.
“Ditëlindja e Parkut Kombëtar të Vjosës. Një vit më parë i dhamë Vjosës statusin më të lartë të mbrojtjes, lumit të fundit të egër në Evropë duke nisur krijimin e një parku unik që po kthehet në kartvizitën më të vyer të Shqipërisë sonë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje nga Parku Kombëtar i Vjosës.
Vjosa, është një Park Kombëtar unik për Shqipërinë por edhe për Europën, i cili e fut vendin tonë në një tjetër kategori të hartës turistike europiane dhe hap një tjetër rrugë të re për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social.
Pellgu ujëmbledhës përreth u siguron fshatrave tokë pjellore për aktivitete bujqësore si prodhimtaria bujqësore dhe blegtoria. Bollëku dhe diversiteti i peshqve është jetik për mirëqenien e peshkatarëve vendas, kryesisht në pjesën e poshtme të Vjosës. Ekoturizmi në Vjosë dhe degët e saj është gjithnjë në rritje, veçanërisht vitet e fundit pasi të apasionuarit kanë filluar të shijojnë aktivitete të tilla si rafting, kanoe, kajak dhe not.
Vjosa dhe degët e saj kryesore derdhen lirshëm për mbi 400 km, nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri.
Lumi dhe zonat përreth tij janë ekosisteme të një biodiversiteti të konsiderueshëm dhe janë shtëpia e mbi 1100 llojeve të kafshëve, duke përfshirë 13 lloje kafshësh dhe dy lloje bimore të vlerësuara si të kërcënuara globalisht nga IUCN.
Parku Kombëtar i lumit të egër Vjosa lehtëson zgjidhjet e sfidave me të cilat përballet lumi si ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi.



