Klubi anglez ofron 70 milionë euro për Dani Olmo, Barcelona e shqyrton mundësinë e shitjes së tij
K

Klubi anglez ofron 70 milionë euro për Dani Olmo, Barcelona e shqyrton mundësinë e shitjes së tij

Tottenham Hotspur po përgatit një ofertë të majme për mesfushorin spanjoll Dani Olmo, në vlerën e 70 milionë eurove, duke synuar ta tërheqë nga Barcelona gjatë kësaj vere.

Klubi londinez synon të përfitojë nga situata financiare e vështirë e katalanasve, të cilët mund të detyrohen të sakrifikojnë një nga emrat e tyre më të rëndësishëm për të balancuar buxhetin.

Olmo iu bashkua Barcelonës nga RB Leipzig në verën e vitit 2024 dhe pati një sezon mjaft produktiv, duke realizuar 19 gola në të gjitha garat.

Megjithatë, përkundër kontributit të tij në fushë, e ardhmja e 26-vjeçarit në “Camp Nou” është vënë në pikëpyetje për shkak të presionit financiar që po përjeton klubi.

Sipas mediave spanjolle, drejtuesit e Barcelonës janë të hapur për të shqyrtuar ofertat për lojtarin, veçanërisht nëse ato ndihmojnë në uljen e kostove të pagave dhe krijimin e hapësirës për regjistrimin e afrimeve të reja.

Deri tani, Joan Garcia është transferimi i vetëm i konfirmuar, ndërsa emra si Gerard Martin, Roony Bardghji dhe Marcus Rashford janë në listën e dëshirave, por kërkojnë burime të reja financiare.

Gjithashtu, situata e brendshme në skuadër ka ndikuar në statusin e Olmos.

Ngritja e të riut Fermin Lopez dhe rikthimi i Gavit pas dëmtimit kanë shtuar konkurrencën në mesfushë, duke e ulur rëndësinë e Olmos në formacionin titullar të trajnerit Hansi Flick.

Burime pranë klubit raportojnë se Flick nuk do të kundërshtonte një largim të mundshëm të Olmos, nëse ai shihet si një vendim strategjik që balancon aspektin sportiv dhe financiar të skuadrës.

Tottenham, nga ana tjetër, është i gatshëm të investojë fuqishëm për të forcuar mesfushën, dhe e sheh Dani Olmon si një element kyç për projektin e tyre afatgjatë.

E ardhmja e Olmos mbetet pezull, ndërsa javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse ai do të vazhdojë aventurën në “Camp Nou” apo do të transferohet në Premier League. /AutoPortali

TË FUNDIT