Barcelona në telashe, Olmo mund të mos luajë deri në janar
B

Barcelona në telashe, Olmo mund të mos luajë deri në janar

Barcelona mund të përballet me një tjetër krizë në prag të mbylljes së afatit kalimtar të verës, pasi mesfushori i përfaqësueses së Spanjës, Dani Olmo, rrezikon të mos ketë të drejtë loje deri në janar 2025.

Gjithçka varet nga një vendim i Gjykatës Kombëtare, i cili pritet të merret më 1 shtator ditën e fundit të merkatos verore në Spanjë.

Olmo u transferua te Barça në gusht 2024 nga RB Leipzig, por regjistrimi i tij në La Liga hasi në pengesa për shkak të kufizimeve financiare që Liga spanjolle i ka vendosur klubit katalanas, transmeton AutoPortali.

Barcelona, për shkak të tejkalimit të tavanit të pagave, nuk ishte në gjendje të regjistronte menjëherë mesfushorin, pavarësisht transferimit të përfunduar me sukses.

Pas dy apelimeve të pasuksesshme në gjykatë, Barcelona arriti që ta aktivizojë Olmon përkohësisht, falë një “përjashtimi special” të pranuar nga organet kompetente, me kushtin që regjistrimi i plotë të rishikohej në janar 2025.

Por situata tani është sërish në pikëpyetje. Sipas “Mundo Deportivo”, vendimi përfundimtar i Gjykatës Kombëtare më 1 shtator do të përcaktojë fatin e Olmos.

Nëse gjykata vendos në favor të Barcelonës, atëherë regjistrimi i mesfushorit do të mbetet i vlefshëm dhe ai do të mund të vazhdojë të luajë pa pengesa.

Megjithatë, nëse vendimi mbështet qëndrimin e La Ligas, atëherë Barcelona do të detyrohet ta çregjistrojë Olmon menjëherë, duke tentuar sërish ta regjistrojë atë përpara orës 19:00 të ditës së fundit të afatit kalimtar.

Nëse kjo nuk realizohet brenda afatit zyrtar, Olmo nuk do të ketë të drejtë loje deri në janar 2025, kur hapet sërish merkatoja dimërore.

Kjo situatë është një tjetër pasqyrim i vështirësive financiare që po përjeton Barcelona, përkundër performancës së mirë në fushë.

Klubi vazhdon të përballet me rregullin 1:1 të vendosur nga La Liga, i cili kërkon që çdo euro e shpenzuar për rroga të jetë e mbështetur me një euro të ardhur të sigurt financiare.

Kujtojmë se një rast i ngjashëm ndodhi edhe me Marcus Rashford këtë verë, i cili nuk u regjistrua menjëherë, por falë disa marrëveshjeve për ulje të pagave brenda klubit, arriti të aktivizohej në kohë për ndeshjen kundër Mallorcas.

Barcelona, përkundër telasheve të shumta, shpreson që vendimi i 1 shtatorit të jetë pozitiv dhe të shmangë një tjetër goditje në aspektin sportiv dhe imazhin e klubit. /AutoPortali

TË FUNDIT